Rruga Cancari 11 është një varr masiv dytësor, i ndodhur në fshatin Kamenicë, 50 kilometra nga qyteti i Srebrenicës dhe rreth 13 kilometra nga qyteti i Zvornikut. Ka 13 varre masive dytësore në zonën e Kamenicës që përmbajnë eshtrat e viktimave të masakrave të korrikut 1995 nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë.
Varri Rruga Cancari 11 u zhvarros midis gushtit dhe shtatorit 2001 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur. U gjetën mbetjet mortore të 242 personave. U identifikuan 122.
Analizat e ADN-së të kryera nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur treguan lidhjet midis këtij varri dytësor në Rrugën Cancari 11 dhe varrit parësor të trazuar në Branjevo. Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së mbi zhvarrosjet e lidhura me Srebrenicën, kjo do të thotë që pjesë të eshtrave të disa individëve u gjetën në varret në Branjevo dhe Rruga Cancari 11.
Hetimi i GJPNJ-së gjithashtu tregoi lidhjet e ADN-së midis varrit Rruga Cancari 11 dhe shtatë varreve të tjerë në të njëjtën zonë (Rruga Cancari 4, 5, 6, 8, 10, 11 dhe 12). Kjo tregon se si pjesë e një përpjekje për të mbuluar krimet e kryera nga forcat serbe të Bosnjës, mbetjet mortore që u gërmuan nga varri masiv parësor në Branjevo dhe u transportuan në fshatin Kamenicë, 45 km më larg. Varret e tjera të Rrugës Cancari janë lidhur nga analizat e kryera të ADN-së me një varr masiv parësor në Kozluk, ku u varrosën gjithashtu viktima të masakrave të Srebrenicës.
Sipas GJPNJ-së, varri masiv parësor në Baranjevo përmbante gjithsej 1,751 individë.
Varret në Kamenicë u zbuluan ose në oborret e shtëpive që u përkisnin boshnjakëve ose në livadhet pranë rrugës. Varri Rruga Cancari 11 ndodhet ngjitur me rrugën, në një livadh. Vendi mbetet i pashënuar. Megjithatë, vendasit në Kamenicë i kanë shënuar disa prej varreve në zonë me pllaka përkujtimore që nderojnë viktimat e Srebrenicës.
Raportet mjeko-ligjore dhe dëshmitë e dëshmitarëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, përfshirë dëshmitë nga njerëzit që ishin pjesë e skuadrave vrasëse, konfirmuan se shumica e viktimave të gjetura në varrin në Branjevo u vranë në Qendrën Kulturore Pilica nga forcat serbe të Bosnjës në mes të korrikut 1995.
Më 16 korrik 1995, ushtarët në Fermën Ushtarake Branjevo u urdhëruan të shkonin rreth pesë kilometra në lindje të Qendrës Kulturore Pilica për të vrarë rreth 500 boshnjakë që po mbaheshin atje. Pjesa e brendshme e Qendrës Kulturore Pilica u përshkrua se kishte kufoma “të grumbulluar njëri mbi tjetrin, të shtrirë dhe të shpërndarë ngado” dhe trupat – dy prej të cilëve ishin femra – ishin të gjithë të veshur me rroba civile. Viktimat më pas u varrosën në Fermën Ushtarake Branjevo dhe më vonë u rivarrosën në varre masive dytësore, përfshirë ata në Rrugën Cancari.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.