Redak 1 është një varr masiv kryesor i ndodhur në kompleksin e minierës së hekurit të Ljubijës, 18 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Ai është në një kodër të izoluar, mbi një rrugë, i rrethuar me pyje. Shtatëdhjetë e katër trupa u zhvarrosën nga varri. Para luftës, varret ishin gropa të hapura brenda minierës, por në vitin 1992 ato ishin mbushur me dhe, sipas dëshmitarëve.
Në fund të korrikut 1992, rreth 120 burra nga zona e Miska Glavës, mes të cilëve 15 të mitur, u dërguan fillimisht në qendrën kulturore të Miska Glavës, ku një dëshmitar tha se ata u sulmuan, më pas në stadiumin aty pranë, ku u torturuan dhe abuzuan për tre ditë. Ndërsa mbaheshin të ndaluar, rreth dhjetë deri në 15 të burgosur u vranë, ndërsa pjesa tjetër u dërguan në Ljubija dhe u pushkatuan. Vetëm disa arritën të mbijetonin.
Dëshmitari i prokurorisë Nermin Karagiç tha në gjyqin e shefit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç në Gjykatën e Hagës se ai ishte 17 vjeç në atë kohë dhe mbijetoi sepse një major i ndaloi të shtënat, megjithëse babai i tij u vra. “Më pas na urdhëruan të merrnim trupat e pajetë dhe t’i ngarkonim në një autobus”, tha Karagiç. Ai arriti të shpëtonte duke u hedhur nga autobusi.
Eshtrat e viktimave u gjetën dhe u zhvarrosën nga varret masive në Redak 1 dhe Redak 2, ndërsa dhjetë trupa të tjerë u gjetën në varrin Hozic Kamen afër qytetit të Bosanski Novit në vitin 2016.
Vendi i varrit masiv Redak 1 mbetet i lënë pas dore dhe i pashënuar brenda kompleksit të minierës së hekurit në Ljubija. Varret Redak 1 dhe Redak 2, si dhe lokacionet Jakarina Kosa dhe Tomasica, të gjithë në minierën e Ljubijës, u përdorën për të fshehur trupat e jo-serbëve nga zonat e Prijedorit dhe Sanski Mostit.
Në Bosnje janë ngritur tre aktakuza, por askush nuk është dënuar ende.
Nëntë ish-anëtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, policisë dhe stafit lokal serb të Bosnjës të krizë, të cilët organizuan largimin e boshnjakëve nga komunat e mbizotëruara nga serbët, u paditën në vitin 2017 për pjesëmarrje në ndalimin e paligjshëm të rreth 120 burrave në zonën e Miska Glavës. Të paditurit ishin Slobodan Taranjaç, Milodrag Glusaç, Ranko Babiç, Ranko Dosenoviç, Marinko Prastalo, Rade Zekanoviç, Zdravko Paniç, Trivo dhe Milan Vukiç.
Në vitin 2018, gjykata shtetërore e Bosnjës konfirmoi gjithashtu padinë ndaj Milorad Obradoviç dhe Slobodan Knezeviç për pjesëmarrje në persekutimin e civilëve boshnjakë në fund të korrikut 1992 si anëtarë të forcës policore rezerviste dhe policisë ushtarake në Ljubija afër Prijedorit.
Në shkurt 2022, dy të dyshuar të tjerë, Dane Bajiç dhe Miodrag Knezeviç, u akuzuan për krime kundër njerëzimit kundër boshnjakëve dhe kroatëve në Prijedor në vitin 1992, duke përfshirë krimet në Miska Glava. Asnjëri prej tyre nuk u paraqit në një seancë gjyqësore.
Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnje dhe Hercegovinë. Gjithsej 37 serbë të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në këtë zonë dhe janë dënuar me gjithsej 617 vjet burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së Prijedorit të kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.