Liplje 7 është një varr masiv dytësor në fshatin Liplje, tetë kilometra në jugperëndim të qytetit të Zvornikut. Vendi u zhvarros në shtator dhe tetor 2005 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur. U gjetën mbetjet mortore të 482 personave; 113 u identifikuan.
Analiza e ADN-së gjithashtu tregoi lidhjet midis këtij varri dytësor dhe një varri parësor të trazuar në Digën Petkovci. Një raport mjeko-ligjor nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, mbi zhvarrosjet e Srebrenicës tha se kjo do të thotë se eshtrat e një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshëm. Hetimi gjithashtu tregoi lidhjet e ADN-së midis këtij varri dhe katër varreve të tjerë në të njëjtën zonë. Kjo tregon se mbetjet mortore që u gërmuan dhe u hoqën nga varri masiv primar në Digën Petkovci u transportuan në Liplje, 20 kilometra larg.
Vendi ndodhet pranë një rruge, 500 metra nga varri masiv Liplje 1. Vendi është i rrethuar nga disa shtëpi dhe pemë.
Më 14 korrik 1995, personeli i ushtrisë dhe policisë serbe të Bosnjës transportoi afërsisht 1,000 burra boshnjakë nga Srebrenica nga vendet e paraburgimit në dhe rreth Bratunacit në një shkollë në Petkovci, dhjetë kilometra nga Zvorniku. Më 14 korrik 1995 dhe në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut, trupat dhe policia serbe e Bosnjës sulmuan dhe pushkatuan burrat që mbaheshin në shkollë.
Rreth 14 korrikut 1995 dhe në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut, personeli nga Brigada e Zvornikut e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, duke përfshirë shoferë dhe kamionë nga Batalioni i Gjashtë i Këmbësorisë, i transportuan burrat boshnjakë të mbijetuar nga shkolla në Petkovci në një zonë poshtë Digës Petkovci. Ata më pas u ekzekutuan nga ushtarët dhe policia e Ushtrisë Serbe të Bosnjës me armë automatike. Në mëngjesin e 15 korrikut, personeli nga Toga Inxhinierike e Brigadës së Zvornikut, duke punuar me individë dhe njësi të tjera, përdori ekskavatorë dhe pajisje të tjera të rënda për të varrosur viktimat ndërsa ekzekutimet vazhdonin.
Një burrë që u fsheh poshtë trupave të pajetë për të shmangur ekzekutimin në digë tha në gjyqin e ish-gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç në GJPNJ se kur ai u soll në Petkovci, fusha nën digë ishte “tashmë e mbuluar me trupa të pajetë”. Dëshmitari, i cili dëshmoi me emrin e koduar RM-253, tha se ai u rrëzua përtokë që në momentin që ushtarët hapën zjarr mbi grupin e tij dhe e fshehu kokën nën këmbët e disa të burgosurve që tashmë kishin vdekur, duke shpresuar se do të mbijetonte.
Ndërsa RM-253 dhe një i mbijetuar tjetër ishin fshehur, ata panë “një kamion i cili po mblidhte trupat dhe po i ngarkonte ata mbi një traktor, i cili më pas i transportoi ata larg nga fusha e vrasjes”.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.