Varri masiv Glogova 2 u zbulua në shtator 1999 në fshatin me të njëjtin emër në komunën boshnjake të Bratunacit. Gërmimet zgjatën nga mesi i shtatorit deri në fund të tetorit përreth një rruge midis Konjevic Poljes dhe Bratunacit. Varri ishte i trazuar dhe ishte i përbërë nga disa nën-varre më të vegjël, në të cilin u gjet një total prej 130 mbetjesh mortore.
Shumica e individëve të varrosur në varrin masiv ishin meshkuj. Të paktën 41 prej tyre ishin të moshës nga 14 deri në 24 vjeç. Shumica kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Vendndodhja e varrit masiv mbetet e pashënuar. Ai shtrihet në fusha të hapura ngjitur me një rrugë fshati, i rrethuar nga disa shtëpi.
Vendndodhja e saktë u zbulua nga hetuesit e GJPJ-së pasi Shtetet e Bashkuara ofruan një pamje ajrore që tregonte se toka në vend ishte trazuar.
Pamjet ajrore të datës 17 korrik 1995 tregonin buldozerë të parkuar aty afër dhe tokë të trazuar, ndërsa pamjet ajrore nga tetori i të njëjtit vit kapën aktivitetet shtesë gërmimi.
Glogova 2 është një varr masiv primar që përmban trupat e viktimave të vrara nga forcat serbe të Bosnjës gjatë rënies së Srebrenicës në korrik 1995. Pas analizave shtesë mjeko-ligjore të mbetjeve mortore, u përcaktua se një numër viktimash nga Glogova 2 u rivarrosën më shumë se 40 kilometra larg, në një varr tjetër masiv me emrin Zeleni Jadar 5 në një përpjekje shtesë për të mbuluar vrasjet.
Krahasimi i shenjave në gëzhojat e gjetura në varrin Zeleni Jadar 5 me ato të gjetura në vendin e ekzekutimit në depon në Kravica, ku shumë boshnjakë nga Srebrenica u qëlluan për vdekje, tregoi se një numër njerëzish që ishin varrosur në Zeleni Jadar 5 dhe Glogova 2 ishin i vrarë në depo, sipas hetuesve të GJPJ-së.
Vendime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë vërtetuar që forcat serbe të Bosnjës vranë 1,313 boshnjakë nga Srebrenica në një hangar në një fermë bujqësore në Kravica më 13 dhe 14 korrik 1995. Midis 14 dhe 16 korrikut, aty mbërritën makineri të rënda dhe i çuan trupat e viktimave në varre masive në fshatrat afër Glogova dhe Ravnice.
Deri më tani, GJPJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.