Varri masiv Budak 2 gjendet në fshatin Potocari, gjashtë kilometra në veriperëndim të qytetit të Srebrenicës në Bosnjën lindore dhe në afërsi të vendvarrimit Budak 1. Varri u zhvarros në qershor dhe korrik 2007 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, nën monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Gjatë zhvarrimit, u gjetën mbetjet mortore të 49 personave, shumica e të cilëve ishin viktima të gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995.
Budak 2 është një varr masiv dytësor, një nga shumë në zonën e fshatit Potocari. Bazuar në mostrat e ADN-së të marra nga mbetjet mortore, mostrat e dheut dhe polenit, si dhe gëzhojat e mbledhura në varret masive dhe në vendet e ekzekutimit, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugoslvinë (GJPNJ) vendosi lidhjen ndërmjet këtij varri dytësor dhe varrit masiv parësor Glogova 1, që gjendet në largësi prej 10.5 kilometra.
Glogova 1 fillimisht përmbante shumë mbetje mortore të tjera, por në një operacion pasues të mbulimit të krimit nga forcat serbe të Bosnjës në vjeshtën e vitit 1995, trupat u transportuan nga atje në vendet e tjera të varrimit, duke përfshirë lokacionin Budak 1, sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur. Operacioni për të fshehur krimet u përshkrua GJPNJ-ja si “një përpjekje e organizuar dhe gjithëpërfshirëse…për të fshehur ekzekutimet duke zhvarrosur trupat nga varret masive parësore dhe duke i rivarrosur në varre dytësore”.
GJPNJ-ja vendosi që varret masive dytësore në zonën e fshatit Potocari jo vetëm që janë të lidhura me varret masive parësore, por gjithashtu janë të ndërlidhura në nivele të ndryshme. Në rastin e vendvarrimit Budak 2, mbetjet mortore të disa individëve të gjetur atje, u gjetën gjithashtu në varre të tjera përveç lokacionit kryesor në Glogova 1: në Zeleni Jadar 4, Zeleni Jadar 5 dhe Zeleni Jadar 6. Disa nga viktimat, mbetjet mortore të të cilave fillimisht u varrosën në Glogova 1 dhe më pas u gërmuan nga forcat serbe të Bosnjës dhe u rivarrosën në Budak 1 si pjesë e një përpjekjeje për të mbuluar krimin, u rivarrosën përsëri në Budak 2.
Shumica e mbetjeve mortore të gjetura në varrin masiv Budak 2 ishin të viktimave që ishin qëlluar për vdekje në një fermë në Kravica, ku më 13 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës ekzekutuan 1,313 burra boshnjakë nga Srebrenica. Armë automatike, bomba dore dhe armë të tjera u përdorën për të vrarë burrat brenda në depo.
Sot, varri masiv Budak 2, që gjendet në një livadh pranë një rruge, është i pashënuar. Në vitin 2011, disa duzina metra larg vendvarrimeve Budak 1 dhe Budak 2, serbët vendas filluan ndërtimin e një kishe ortodokse. Kjo krijoi tensione me popullsinë vendase boshnjake, por kisha u ndërtua dhe u shenjtërua tre vjet më vonë.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.